Observatori i njohur i futbollit, CIES, ka zbuluar tashmë listën me 10 mesfushorët më të vlefshëm në futbollin botëror, listë e cila është përpiluar nga një përzierje e mesfushorëve me tipare sulmuese dhe mbrojtëse.
Javën e kaluar, mesfushori anglez Jude Bellingham nënshkroi për Real Madridin në një marrëveshje me vlerë fillestare prej 103 milionë eurosh.
Megjithatë, u raportua se marrëveshja e Bellingham mund të tejkalojë 135 milionë euro me bonuse, gjë që e bën atë lojtarin britanik më të shtrenjtë ndonjëherë në moshën vetëm 19-vjeçare.
Pavarësisht kësaj, Bellingham renditet vetëm i dyti në listën e mesfushorëve më të vlefshëm nga Football Observatory CIES në listën e përpiluar nga një përzierje e mesfushorëve sulmues dhe mbrojtës.
Në vendin e 10-të është Enzo Fernandez i Chelseat, i cili u bë mesfushori më i shtrenjtë në botë kur iu bashkua klubit të Stamford Bridge për një tarifë të raportuar prej 121 milionë euro.
Megjithatë, sipas CIES, argjentinasi vlerësohet vetëm 103 milionë euro.
Më pas është Rodri i Manchester Cityt, i cili shënoi golin e fitores në finalen e Ligës së Kampionëve në fillim të muajit. Reprezentuesi spanjoll ka një vlerë transferimi prej 105 milionë euro.
Dyshja e Real Madridit, Eduardo Camavinga dhe Federico Valverde ishin në vendin e tetë dhe të shtatë, duke u vlerësuar respektivisht me 118 dhe 155 milionë euro.
Phil Foden i Cityt u rendit i gjashti me një vlerë transferimi prej 166 milionë euro, me Jamal Musialën e Bayern Munichut përpara tij me një vlerë prej 170 milionë eurosh.
Fituesi i Golden Boy vitin e kaluar, Pablo Gavi i Barcelonës doli i katërti pasi u vlerësua me 174 milionë euro nga CIES.
Në krye të treshes është Pedri, bashkëlojtari i Gavit te Barcelonë, i cili ka një vlerë transferimi prej 178 milionë eurosh.
Ylli i ri i Real Madridit, Bellingham, renditet në vendin e dytë, pavarësisht se vlerësohet në 190 milionë euro.
Sipas CIES, mesfushori më i vlefshëm në futbollin botëror është Bukayo Saka i Arsenalit.
Mesfushori anësor me tipare sulmuese i është dhënë një vlerë transferimi prej 195 milionë eurosh. /Telegrafi/