Telegrafi

Zbulohen prapaskenat nga mediat turke, kjo është arsyeja pse Vincent Kompany refuzoi transferimin e Muriqit te Anderlechti

Vedat Muriqi ende nuk i ka mbushur një vit nga transferimi te gjiganti turk Fenerbahce nga Rizespor.

Para se Fenerbahce të fitonte garën për yllin e Kosovës, shumë skuadra ishin të interesuara për Muriqin nga Superliga turke, por edhe nga kampionate të tjera evropiane.

26-vjeçari ka qenë shumë pranë kalimit tek gjiganti belg Anderlecht, por në fund marrëveshja mes dy klubeve kishte dështuar dhe Muriqi zgjodhi Fenerbahcen.

Ka qenë mediumi turk ajansspor.com që ka zbuluar prapaskenat e dështimit të këtij transferimi.

Klubi belg e kërkonte me ngulm Muriqin, por ka qenë legjenda Vincent Kompany që ka refuzuar transferimin e tij.

Kompany u rikthye në Bruksel duke marrë rolin trajner/lojtar dhe nuk kishte preferuar afrimin e Vedat Muriqit.

Ish-kapiteni i Manchester City zgjodhi që ta transferonte sulmuesin xhamajkan Kemar Roofe nga Leeds United për gjashtë milionë euro, pasi e kishte parë në disa ndeshje nga afër dhe e preferoi atë para Muriqit.

Roofe ka rezultuar si dështim pasi nuk ka arritur të përshtatet fare në futbollin belg duke shënuar vetëm shtatë gola.

Ironia qëndron se Roofes i është ulur vlera në 4,5 milionë euro, ndërsa Muriqit i është rritur në 20 milionë euro.

Reprezentuesi kosovar tani po kërkohet nga skuadrat elitare angleze si Tottenham Hotspur, Burnley apo Leicester City, teksa në Bruksel qajnë gabimin që bëri Kompany duke refuzuar transferimin e Muriqit.

Kujtojmë që Muriqi këtë edicion me fanellën e Fenerbahces ka shkëlqyer ku ka realizuar 15 gola dhe ka bërë gjashtë asistime. /Telegrafi/