Telegrafi

Zaev: Ekziston mundësi për kandidat të përbashkët konsensual për president

Me takimin me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev sot vazhdon bisedimet me partnerët e koalicionit për gjetjen e kandidatit të përbashkët për zgjedhjet presidenciale.

“Sot vazhdojmë takimet me partitë politike të partnerëve tonë të koalicionit nga blloku shqiptar. Së pari do të kemi takim me BDI-në, ndërsa pastaj do të vazhdojmë me Besën e Afrim Gashit, dhe me Menduh Thaçin. Do të bëjmë përpjekje që takohem edhe me Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besën e Bilall Kasamit që të mund të bisedojmë dhe të shikojmë nëse mund të gjejmë kandidatë të përbashkët i cili do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët, nga çdo lloj politike, përfaqësi etnike dhe sociale”, tha Zaev.

Ai tha se kërkojnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë qytetarët dhe shtoi se në takimin e djeshëm me partnerët e koalicionit të udhëhequr nga LSDM, liderët e partive konfirmuan se janë për një kandidat të përbashkët presidencial./Telegrafi/