Frymëzimi nga materiale të tjera muzikore është prej kohësh një fenomen shumë i diskutuar, e në fakt artistë të njohur dhe emra të mëdhenj në botë po diskutohen për plagjiaturë.
Ndërsa në një çështje të tillë është përfshirë edhe kantautori shqiptar, Valton Krasniqi, i cili së fundi duket se ka qenë frymëzim për një nga emrat e njohur të muzikës, David Guetta.
Të paktën ashtu ka pretenduar vetë ai, ndërsa thotë se kënga e fundit e Guettas, e realizuar në bashkëpunim me Nicki Minaj, Bebe Rexha dhe Afrojack, “Hey Mama”, nuk është asgjë më shumë sesa një kopje e refrenit të një kënge që ai ka publikuar në vitin 2005 me titull “Lei Lei (Mos më provoko)”.
Ky projekt i muzikantit shqiptar gjatë asaj kohe është transmetuar edhe në “MTV & VIVA”, duke u bërë kështu një këngë mjaft e pëlqyer dhe e dëgjuar ndërkombëtarisht.
Sa i takon çështjes me Guettan, në një intervistë për Bluetooth, Valtoni ka thënë se ai ka ndërmend të nisë procedurat ligjore dhe ka kontaktuar “Production Sony BMG” për këtë.
Ndërsa Krasniqi pret që të konfirmohen dyshimet e tij, kënga me titull “Hey Mama” grumbullon miliona fitime të ardhura nga shitja e saj.
“Po, kam biseduar me Suisa. Më kanë thënë që mundemi ta provojmë të bllokohet në ‘Zvicër video’, por nuk është ende asgjë definitive”.
“Është një tjetër studio që do të ngrejë padinë. Unë ua kam lënë atyre. Nëse ata merren me këtë çështje dhe e fitojnë, atëherë unë do të shpërblehem me 33 për qind të shumës së parave”, ka thënë Valtoni për këtë çështje.