Është mbajtur mbrëmja më e madhe në industrinë e filmit, “Oscars 2022”.
Në Teatrin “Dolby” në Los Angeles u shënua edicioni i 94-të i ndarjes së çmimeve më të rëndësishme në fushën e kinematografisë.
Yje të shumtë kanë shkelur në tapetin e kuq të “Oscars 2022”, duke shpërfaqur shijet e tyre të modës.
Dhe siç po ndodh shpesh herë kohëve të fundit, yjet ndërkombëtare po zgjedhin të vishen me kreacionet e dizajntorëve shqiptar në mbrëmjet e tyre të rëndësishme.
E veshur nga Fjolla Nila, modelja Jordyn Woods mori vëmendjen e plotë gjatë mbrëmjes, duke zgjedhur dy fustane nga Nila – atë të paraqitjes kryesore dhe fustanin e pas-ndejës së Oscars.
Jordyn kishte zgjedhur një fustan me përzierje të ngjyrave bezhë dhe argjend për mbrëmjen kryesore, të zbukuruar lart me një xhufkë.
Fustani i dytë ishte i tejdukshëm, por i mbuluar i gjithi me gurë të çmuar që e bënte atë mjaft madhështor.
Valdrin Sahiti ishte gjithashtu pjesë e mbrëmjes me kreacionet e tij, duke veshur dy yje pjesëmarrëse: Anastasia Karanikolaou dhe Tiffany Haddish.
Tiffany Haddish zgjodhi fustanin e Sahiti për paraqitjen në pas-ndejën e Oscars. Një fustan i zi me krahë të fryrë, i cili bëhet edhe më i veçantë me detajin që ka në pjesën e sipërme me gurë të çmuar.
Ndërkohë, Karanikolaou ishte veshur me një fustan ngjyrë vjollcë i realizuar në mënyrë të mahnitshme me disa detaje që i vinin në pah format e saj trupore.
Ndërkohë, kujtojmë se së fundmi aktorja Angelica Ross kishte zgjedhur krijimin e Valdrin Sahitit për paraqitjen në “Critics’ Choice Awards 2022”. /Telegrafi/