West Ham Unitedi është i gatshëm t’ia paguajë rrogën Joao Marios, por nuk dëshiron t’i paguajë interit asnjë çmim për huazimin.
Mesfushori portugez nuk është i favorizuar nga trajneri Luciano Spalletti, mirëpo Nerazzurrët nuk po arrijnë të gjejnë klub për ta transferuar gjatë këtij afati kalimtar.
Ndërsa Sky Italia njofton se klubi anglez e ka bërë të qartë se do t’ia paguajë rrogën lojtarit në pjesën e mbetur të sezonit (që është rreth 2.5 milionë euro).
Po ashtu, West Hami është i gatshëm t’ia paguajë agjentit të tij shumën e komisionit prej 600.000 eurosh, mirëpo kërkon që të mos paguajë asnjë çmim sa i përket huazimit nga Interi.
Në marrëveshje do të përfshihej edhe opsioni i blerjes në fund të sezonit për 30 milionë euro.
Megjithatë, zikaltrit do të pranojnë një marrëveshje, e cila nuk ia garanton West Hamit blerjen e lojtarit.
Joao Mario është pjesë e Interit nga gushti i vitit 2016, kur u transferua nga Sportingu për 40 milionë euro plus pesë milionë të tjera në formë bonusesh. /Telegrafi/