Telegrafi

Wanda: Icardi ishte pranë Milanit, gjë që më konvenonte mua

Wanda Nara (Foto: Instagram/wanda_icardi)

Wanda Nara ka thënë se Mauro Icardi ka mundur t’i bashkohet rivalit lokal të Interit, Milan, sepse do të ishte më komode për bashkëshorten e tij.

Sulmuesi argjentinas është huazuar te Paris Saint-Germaini këtë sezon, ndërsa gruaja e tij, që është njëherësh edhe agjente e futbollistit, ka thënë se kalimi te Rossonerët ishte mundësi reale për burrin e saj.

“E patëm mundësinë që ta dërgonim Mauron te Milani. Personalisht, do të ishte zgjedhje shumë më komode, të qëndronte në Milano, por një skuadër si PSG ishte vendimi më i mirë në karrierën e tij”.

“Shkuarja në Francë ishte zgjedhje e vështirë për mua, marrë parasysh se sapo kam arritur nga Parisi dhe nesër do të shkoj prapë. Fëmijët e mi janë në Paris. Por, kjo ishte gjëja më e mirë për karrierën e Mauros”, ka deklaruar Wanda për Tiki Taka.

Icardi e ka nisur shumë mirë qëndrimin e tij në Parc des Princes duke shënuar shtatë gola në po aq paraqitje në të gjitha garat. /Telegrafi/