Telegrafi

VV: Nuk do të lejojmë shthurjen e sistemit energjetik të Kosovës

Komiteti për Energjitikë i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin Visar Ymeri, sot ka mbajtur një takim me punonjës, sindikalistë e inxhinierë të sektorit të energjitikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryetari Ymeri u ndal te dëmet e marrëveshjeve me Serbinë. Ai theksoi, thotë kumtesa e Vetëvendosjes, se përmes këtyre proceseve të gjitha ndërhyrjet ilegale të Serbisë u konsoliduan dhe formalizuan filluar nga policia e gjyqësia, shëndetësia e arsimi e deri tek energjitika e telekomunikacioni.

Sipas Ymerit, Qeveria e Kosovës është dakorduar me Serbinë që të ketë ndërmarrje të ndarë etnikisht për shpërndarjen e energjisë elektrike.

“Marrëveshja për Energjinë me Serbinë, Privatizimi i KEDS dhe marrëveshja e mirëkuptimit me “Contour Global” të gjitha këto të bëra nga të njëjtit aktorë, pra pushteti i deritashëm janë rruga drejt shkatërrimit ekonomik të vendit, zbehjes së shtetësisë dhe nëpërkëmbjes së punëtorëve tanë”, thuhet në kumtesë.

VV konstaton se Qeveria Serbisë po ia jep një pjesë të rrjetit e resurseve.

“Me KEDS-in ia dha në asetet e rrjetit tonë Kompanisë private, me Contour Global po duan që edhe kapacitetet e reja energjitike t’ia vënë në dispozicion një kompanie private. Ku nuk është e Serbisë privatizohet e ku janë komunat me shumicë serbe mbetet shtetërore por nën kontroll të Serbisë. Kjo është as më pak as më shumë një katastrofë që duhet ndalur sa më parë”, thuhet tutje.

Ymeri, kryetari i VV-së, tha se lejimi i kompanisë serbe “Eletroserver” që të operojë në Kosovë është kthim mbrapa, e jo sukses.

“Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it”që të operojë brenda territorit të Republikës përveç se është kthim mbrapa, është edhe lëshim pe ndaj Serbisë që Qeveria e Kosovës po mundohet ta paraqes si një fitore të palës kosovare duke thënë se tashmë Serbia e njeh pavarësinë e KOSTT-it”, tha Ymeri.

Ymeri tha se kjo është e pavërtetë sikur që janë të pavërteta edhe deklaratat se “Elektrosever”- i s’do të ketë kompetenca për shpërndarjen e energjisë.

“Fillimisht është thënë që ky operator s’i ka në dispozicion asetet sa i takon rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike por në marrëveshjen teknike të 2013 edhe atë politike të 2015 vërehet qartë se Elektroseverit të Serbisë i mbarten këto kompetenca. Thënë konkretisht Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen të energjisë elektrike në Kosovë”, ka konstatuar ai.

Sipas Ymerit, marrëveshja për energjetikë me Serbinë, së bashku me marrëveshjen për Asociacionin, janë kundërshtuar nga qytetarët fuqishëm në peticionin e organizuar nga opozita

“Marrëveshja për energjetikë sikur ajo për telekomunikacionin dhe ajo për ‘Zajednicën’ secila të nënshkruara me 25 gusht janë refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës në peticionin që kemi organizuar si opozitë e bashkuar vitin e kaluar ku 205 mijë qytetarë nënshkruan kundër këtyre marrëveshjeve. Në këto rrethana ku Serbia po bëhet sovrani i dytë në vend për shumë çështje, është e jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkohemi në kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve dhe në kundërshtimin në përgjithësi të dialogut me Serbinë”, tha Ymeri.

Ndërsa, nënkryetari i sindikatës së KEDS-it, Sherif Fejzullahu, foli për kushtet e rënda të punëtorëve në kompaninë KEDS, pas privatizimit të saj.

“Ne si sindikatë ia bëjmë një pyetje qeverisë: a e ka shitur vetëm objektin e KEDS-it apo na ka shitur edhe neve si punëtorë?! Për arsye se ka tri vite që ne po jetojmë në një ankth dhe një presion psikologjik duke mos e ditur se çfarë do të ndodhë me ne në vitin 2016 kur të na mbarojnë kontratat e punës”, tha ai dhe shtoi se situata pas privatizimit është përkeqësuar shumë.

Në anën tjetër, Naim Hoxha, drejtuesi i Komiteti për Energjetikë tha se qeveritarët kanë pra nuar të negociojnë me një palë që mund të na shoh në çfarëdolloj forme tjetër përveç se si shtet.

Hoxha theksoi se operatori i transmisionit KOSTT-i është operator i transmisionit për territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo është tejet e rëndësishme për shtetësinë tonë.

“Në marrëveshjen me Serbinë për energjetikë kompanisë serbe “Elektrosever”-it Mustafa e Thaçi ia janë njohur e drejta e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë sistemin energjetik të Kosovës”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/