Kanë kaluar 13 ditë që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor, megjithatë partia fituese e këtyre zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur të bëjë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar institucionet e ardhshme të Kosovës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se është Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e cila po e kushtëzon arritjen e një marrëveshje, siç kanë thënë nga LVV, LDK po kërkon të marrë postin e presidentit.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, deputetët të cilët kanë fituar vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e legjislaturës së shtatë, tashmë kanë filluar regjistrimin, transmeton Telegrafi.
Regjistrimi i tyre po bëhet në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe larg mediave, megjithëkëtë disa nga deputetët kanë bërë të ditur publikisht se tashmë janë regjistruar.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili sërish ka fituar mandatin e tij për deputet ka shpërndarë një fotografi gjatë regjistrimit, teksa ka uruar për një mandat të mbarë me përkushtim dhe dinjitet.
Edhe deputeti i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka bërë të ditur se ka përfunduar regjistrimi.
“Na presin shumë punë, me nder e përgjegjësi para popullit. Na priftë e mbara”, ka shkruar Rudi sipër fotografisë së shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
Po ashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka falënderuar votuesit e tij për mandatin e katërt.
“Në Kuvendin e Kosovës, për të katërtën herë. Faleminderit gjithë votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në legjislaturën e shtatë Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 28 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 24 ulëse, koalicioni AAK-PSD 13 ulëse, Lista Serbe do të ketë 10 ulëse dhe koalicioni NISMA-AKR-PD 6 ulëse.
Ndryshe, para disa ditësh kreu i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në për krijimin e koalicionit qeverisës, do të shkojnë në zgjedhje, dhe se shkuarja në zgjedhje të reja do t’i konvenonte më së shumti partisë së tij. /Telegrafi/
Foto: Arkiv