Telegrafi

VV: Isa shërbëtor i Thaçit, Biden nuk e ka vënë kusht Demarkacionin

Thirrjet e kryeministrit Isa Mustafa, që deputetët ta votojnë demarkacionin mbeten të çuditshme për partitë opozitare, sipas të cilave Mustafa po mundohet ta shpëtojë Hashim Thaçin, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacionin.

Frashër Krasniqi nga VV thotë se Isa Mustafa është bërë shërbëtor tipik i Hashim Thaçit.

“Për mua është e çuditshme pse Isa Mustafa me insistim kaq të madh, po mundohet me shpëtu Hashim Thaçin. Marrëveshja e Demarkacionit është e lidhur ngushtë me fatin personal të Hashim Thaçit. Sepse ai e ka nënshkruar. Kurse Isa Mustafa është bërë një shërbëtor tipik i Hashim Thaçit dhe me çdo kusht po mundohet të bëjë presion dhe t’i kërcënojë deputetët dhe opozitën, në mënyrë që me kalu këtë Demarkacion”, tha Krasniqi.

Ndërsa sa i përket deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, Krasniqi thotë se në asnjë moment Biden nuk e ka kushtëzuar Demarkacionin dhe asnjë marrëveshje tjetër me mbështetjen e Amerikës për Kosovën.

Sipas tij deklaratat e Bidenit nuk e bëjnë as më të mirë dhe as më të keq Demarkacionin dhe as Asociacionin dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë t’i kundërshtojë fuqishëm.

“Kosova vazhdon të rrezikohet nga krijimi i një republike serbe brenda territorit tonë, nëse miratohet asociacioni pavarësisht deklaratave të kujtdo qoftë. Prandaj ne nuk mund të ndryshojmë mendje, sepse në pyetje është e ardhmja e fëmijëve tanë. Në pyetje është e ardhmja e territorit dhe republikës sonë, prandaj ne do t’i kundërshtojmë me çdo kusht”, thotë Krasniqi.

Ndërsa Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha për KosovaPress se kryeministri Mustafa po të kishte pak ndërgjegje do të jepte dorëheqje e jo të ketë një Qeveri jolegjitime, e cila vazhdon të bëjë pazare duke i rehatuar nëpër pozita bashkëpartiakët e vet.

Ndërsa sa i përket çështjes së Demarkacionit dhe deklaratave të Biden ajo thotë se zëvendëspresidenti kërkoi që ky proces të përfundojë, por nuk ka thënë se duhet të përfundojë me versionin aktual. /Telegrafi/