Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për të lokalizuar vendndodhjen e një personi të dyshuar nga fshati Gllamnik.
I dyshuari është Lordi Sulja i cili ka nënshtetësi holandeze dhe kërkohet për vrasjen e cila ndodhi në Podujevë më 11 shtator të këtij viti.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar. I dyshuari Lordi Arsim Sulja nga fshati Gllamnik, me nënshtetësi Holandeze, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 11.09.2023, në Podujevë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia shton se për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar kontaktoni në numrin e telefonit: 192.
Me 11 shtator 2023, një person rreth 30-vjeç ka mbetur i vdekur ndërsa një grua ka mbetur e plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në Podujevë.
Në momentin e të shtënave ndaj çiftit prezent kishte qenë edhe një fëmijë, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.
Gjykata Themelore në Prishtinë javë më parë mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit A.S, i dyshuar për vrasjen që ndodhi të hënën në Podujevë. /Telegrafi/