Javën që po lëmë pas, qyteti i Ferizajt është tronditur nga një ngjarje tragjike, ku nga të shtënat me armë ka mbetur i vdekur një person dhe një tjetër është plagosur.
Po javën që po lëmë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është deklaruar rreth vizitës së kryeministrit Albin Kurti në SHBA, për të cilën u tha se nuk ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, por jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në korridore.
Hovenier deklaroi se janë zhgënjyese raportimet e pasakta me vendndodhjen e takimit.
Ndërkaq, të premten kryeministri në kuadër të Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022 ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, iniciativën “Open Balkan”, etj.
Vrasja e 30 vjeçarit në Ferizajt
Viktima 30-vjeç Gazmend Hyseni, u qëllua me armë nga i dyshuari Qëndrim Januzi, i cili ka mbetur i plagosur.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.
Edhe i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit, është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili ishte me rroba civile dhe ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja.
“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raport.
Policia kishte njoftuar se policë civil pasi kanë vërejtur të dyshuarin i kanë kërkuar që të ndalet, por pasi i njëjti nuk i është bindur urdhrave dhe me pistoletë në dorë i është kthyer zyrtarëve policor, njëri nga zyrtarët ka shprehur në drejtim të të dyshuarit.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt bëhet e ditur se i dyshuari, menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Takimi i Kurtit me Sullivan, ambasadori i SHBA-ve: Zhgënjyese raportimet e pasakta me vendndodhjen e takimit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier gjatë javës që po lëmë pas është deklaruar rreth raportimeve se kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në SHBA nuk ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, por jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në korridore.
Ambasadori amerikan në një postim në Twitter është shprehur i zhgënjyer me raportimet e pasakta në lidhje me vendndodhjen e takimit Kurti-Sullivan.
Se takimet e nivelit të lartë ishin mbajtur edhe në të kaluarën, përmend takimin Thaçi-Biden në vitin 2010. Ai shkruan se takimet e nivelit të lartë dhe ato komplekse mbahen rregullisht në Zyrën ku Sullivan takoi Kurtin.
“U befasova kur pashë disa shkrime të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e Kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë dhe takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendës Presidentin dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje.
Një shembull, në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendës presidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower”, shkruan ambasadori.
Ndryshe, Kurti ishte në një vizitë disa ditore në SHBA, ku ka takuar senatorë, kongresmen dhe përfaqësues të bizneseve.
Kryeministri ka thënë se qëllimi i vizitës në SHBA ishte siguria në rajon dhe investimet
“Ballkani i Hapur”, Kurti: S’duhet të hapemi për ndërhyrje verilindore ose lindore – nuk besoj në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten e 3 qershorit ka marrë pjesë në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022 ka folur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Kurti para të pranishmëve theksoi se Kosova nuk duhet të hapet ndaj ndërhyrjeve verilindore dhe lindore.
“Ballkani Perëndimor 6 është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar, por nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore… Ne jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz…”, u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se nuk i beson atij grupit politikanësh që që besojnë te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022 tha se qytetarët e Kosovës më shumë ofendohen pasi Serbia nuk pranon krimet e kryera në Kosovë sesa që nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Sipas tij në procesin e bisedimeve me Serbinë nevojitet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënie dhe njohje të ndërsjellë.
“Në procesin e bisedimeve me Serbinë, të mbajtura në ombrellën e Brukselit kemi qenë konstruktiv e kreativ. Kemi nevojë për një dialog parimor, midis palëve të barabarta dhe një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve, të përqendruar tek njohja e ndërsjellë. Fatkeqësisht Serbia po thotë se nuk do ta njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën. Të jem i sinqertë, kjo e dyta nga ofendon shumë më shumë se e para”, tha kryeministri Kurti, raporton Telegrafi.
Ai tha se para 23 vjetësh ka pas ndërhyrje të NATO-s ndaj ish Jugosllavisë për ta ndaluar gjenocidin e Serbisë ndaj Kosovës. /Telegrafi/