Agresioni i Rusisë në Ukrainë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e Evropës.
Kështu është shprehur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duke shtuar se agresioni rus në Ukrainë do të jetë një dështim strategjik.
“Në Evropë, ne e shohim agresionin e Rusisë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë. Ne do të sigurohemi që agresioni i paarsyetuar [ushtarak i Rusisë] kundër Ukrainës do të jetë një dështim strategjik. Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Ukrainën të luftojë për lirinë e saj. Dhe për këtë ne vendosëm menjëherë sanksione masive, të theksuar dhe efektive”, tha von der Leyen një fjalim në “Raisina Dialogue”, një konferencë gjeopolitike në New Delhi, përcjell Telegrafi.
Sipas saj, vendimet e Bashkimit Evropian janë përgjigje ndaj agresionit të Rusisë.
“Vendimet tona do të formojnë dekadat që do të vijnë. Përgjigja ndaj agresionit të Rusisë sot do të vendosë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar dhe të ekonomisë botërore”, vijon ajo.
Shefja e KE-së thekson se pamjet që vijnë krimet e kryera nga Kremlini kanë tronditur mbarë botën.
“Pamjet që vijnë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës kanë tronditur mbarë botën. Dy javë më parë, vizitova Buchan, e cila u shkatërrua nga trupat ruse derisa u tërhoqën nga veriu i Ukrainës. Pashë me sytë e mi trupa në tokë. Pashë varrezat masive. Kam dëgjuar të mbijetuarit e krimeve mizore që kanë kryer ushtarët e Kremlinit. Pashë shkolla, shtëpi dhe spitale të bombarduara. Këto janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”, përfundon von der Leyen. /Telegrafi/