Telegrafi

Vodhi 450 euro, dënohet me 7 vite burg – reagojnë deputetët

Një 18 vjeçar i komunitetit ashkali është dënuar me 7 vjet burg, pasi ishte përfshirë në një grabitje të ‘MoneyGram’ në Podujevë, duke vjedhur 430 euro.

Kjo ka ngjallur reagime nga disa deputetë të cilët e konsiderojnë absurde.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kritikuar sistemin vendor të drejtësisë, duke thënë se amniston zyrtarët që keqpërdorin miliona ndërsa dënon një 18 vjeçar për 450 euro.

“Me 7 vite burg, sistemi jonë i drejtësisë paska dënuar një 18 vjeçar të komunitetit ashkali për 450 euro pra ky sistemi i njëjtë që i liron dhe amniston zyrtarët e lartë dhe njerëzit e lidhur me ta, ani pse dyshohen për miliona keqpërdorime”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Lexo po ashtu 7 vjet burg për 430 euro, Koci thotë se kjo është grabitje me armë jo vetëm vjedhje

Ndërkaq, deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, ka thënë se padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë, kudo.

“ 450 euro – 7 vjet burg? Rast tipik i racizmit, të cilit nuk i shpëton shteti dhe shoqëria jonë, kur është fjala për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë, kudo”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, për 18 vjeçarin nga komuniteti ashkali, tashmë kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni, përmes së cilit po kërkojnë lirimin e tij.

Deri tani kanë mbledhur rreth 130 nënshkrime, dhe se do të vazhdojnë të mbledhin edhe nënshkrime të tjera, thonë iniciuesit e peticionit./Telegrafi