Site icon Telegrafi

Vjen reagimi i LVV-së, Haxhiu: Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dorëzuar KQZ-së listën e kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin dhe nuk mund të kandidojnë në zgjedhje.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto janë “përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”.

“Albini, gëzon mbështetje shumë të madhe qytetare dhe kjo mbështetje është e pakontestuar prandaj qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për tendencat e qëllimshme për largimin nga lista të Albinit! Në shtetin e kapur, kështu ndodhë! Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”, shkruan Haxhiu.

Ndryshe, në përgjithësi janë 47 kandidatë nga rreth 1 081, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, ndërsa Telegrafi merr vesh se në mesin e këtyre kandidatëve është edhe Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është bërë e ditur se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 081, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.

Ndryshe, Telegrafi ka kontaktuar zyrtarë të LVV-së, të cilët kanë thënë se “nuk janë në dijeni për momentin”. /Telegrafi/

Exit mobile version