Site icon Telegrafi

Vizita e Chollet në Kosovë, votimi në Komitetin e PE-së për liberalizimin e vizave dhe deklarata e Kurtit në Vjenë – lajmet e javës

Javën që po lëmë pas në kuadër të përpjekjeve për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi për vizitë në vendin tonë ishte këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.

Po gjatë javës Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian i tha po liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërkaq pas këtij hapi është radha e Parlamentit Evropian që ta vë në rend dite në seancë çështjen e vizave për Kosovën.

Ndërkaq, të enjten në Vjenë ishte për vizitë zyrtare kryeministri Albin Kurti, prej nga foli për krimet e Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Marrëveshje gjithëpërfshirëse, përqëndruar në njohjen reciproke”, “Presim propozime konkrete për Asociacionin”

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet gjatë vizitës në Kosovë takoi liderët e shtetit dhe kryetarët e partive opozitare në vend.

Chollet pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti në vizitën e tij në Prishtinë theksoi se Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës propozime konkrete.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, u shpreh ai.

Këshilltari amerikan, Derek Chollet gjatë vizitës së tij në Prishtinë

Sipas tij, dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.

Më tej theksoi se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se do të donin të shpenzonin më pak energji në menaxhimin e krizave.

Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.

Zyrtari amerikan shtoi se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën “mbeten shumë të forta”, dhe se vizioni i tyre për vendin është “një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt dhe demokratike”, duke shtuar se janë për integrimin e plotë të vendit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.

Votimi pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Komitetin e PE-së, hapat e tjerë deri në hyrjen në fuqi të vendimit për lëvizjen e lirë

Anëtarët e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian të enjten i thanë po liberalizimit të vizave për Kosovën, saktësisht marrëveshje tripalëshe që është arritur në dhjetor të 2022-së ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshja tripalëshe për liberalizimin e vizave për Kosovën është aprovuar me 48 vota për, 7 kundër dhe 3 abstenime nga anëtarët e Komitetit të PE-së, raporton Telegrafi.

Mbledhja e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian

Në njoftimin e këtij komiteti bëhet e ditur se radha i takon tashmë Parlamentit Evropian për të votuar për këtë çështje.

“Më pas, Parlamenti Evropian në seancën plenare do të votojë për këtë çështje”, bëhet e ditur në postimin e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian.

I menjëhershëm ishte reagimi i raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputeti holandez, Thijs Reuten pasi Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Një hap më afër! Për udhëtimin e shumëpritur pa viza për Kosovën”, ka shkruar Reuten të enjten në Twitter

Pasi anëtarët e Komitetit të PE-së kanë votuar pro liberalizimit të vizave, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi.

“Edhe një hap tjetër i rëndësishëm u përfundua rreth çështjes së liberalizimit të vizave. Në takimin e anëtarëve të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, u votua pozitivisht mbi liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan Bislimi në Facebook.

Ai bëri të ditur se hapi i radhës do të jetë votimi në seancën plenare në Parlamentin Evropian dhe më tej votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, para hyrjes në fuqi.

“Përshëndesim votimin pozitiv të sotëm dhe mirëpresim finalizimin e hapave të ardhshëm, deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për nisjen e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, shkruan ai.

Ndryshe, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel në dhjetor kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Tani pasi marrëveshja është votuar në Komisionin për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE), çështja e liberalizimit të vizave do të shkojë për votim në seancën e Parlamentit Evropian.

Më pas do të konfirmohet edhe nga Këshilli i BE-së.

Kurti në Vjenë: Në vend se të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Vjenë të Austrisë, ka thënë se paqja në rajon është e paqëndrueshme dhe e pamundur për shkak të Serbisë.

Kurti shtoi se derisa lidershipi në Serbi nuk pranon të kërkojë falje apo të pranojë fajin e vet, paqja kuptimplotë e qëndrueshme në Ballkan është e pamundur.

“Në vend se të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj dhe të përdorë pakicat etnike si vegël për destabilizim në vend se të ndihmojë integrimin e tyre”, ka thënë ai.

Tutje, kreu qeveritar, hodhi kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian, pasi sipas tij, po e shpërblen Serbinë me miliarda euro investime, përkundër që kjo e fundit refuzon vlerat evropiane.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë vizitës në Vjenë

“Bashkimi Evropian në vend se të sanksiononte agresionin serb ndaj fqinjëve të saj e ka shpërblyer me miliarda investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit të BE-së, derisa lidershipi serb ka kuptuar se për të marrë investimet e tilla të BE-së, pranimi i fajësisë nuk ishte detyrues, ishte e mundur që Serbia të merrte paratë e BE-së duke refuzuar vlerat evropiane”.

“Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të vet dhe neutral ndaj mungesës së vëmendjes së Serbisë ndaj vlerave evropiane”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, Kurti tha se Kosova  është e gatshme për bisedime dhe marrëveshje paqësore me Serbinë, por sipas tij Vuçiq nuk e dëshiron këtë.

“Interesat dhe vlerat duhet të jenë të ndara. Kemi të bëjmë me një dialog për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë dhe demokratizimi i këtij rajoni kontribuon në paqen e qëndrueshme në Evropë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version