Telegrafi

Vidal: Do të isha i lumtur nëse Pirlo më fton te Juve

Andrea Pirlo dhe Arturo Vidal si lojtarë të Juventusit (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Mesfushori i Barcelonës, Arturo Vidal, ka konfirmuar se do të ishte i lumtur të luante nën urdhrat e Andrea Pirlos te Juventus, ndërsa ka thënë se Antonio Conte i Interit është më i miri taktikisht.

Në një bashkëbisedim me ‘YouTuberin’, Daniel Habif, për hapin e radhës në karrierën e tij, ai është pyetur për mundësinë që të luajë nën drejtimin e ish-bashkëlojtarit të tij.

“Është spektakolare që ai është bërë trajner i Juventusit. Nëse ka qenë i mrekullueshëm si lojtar, imagjinojeni si trajner. Ai ka vizion të qartë për këtë sport që pakkush e ka pasur në histori të futbollit, prandaj mendoj se pritet të ketë sukses”.

Arturo Vidal dhe Andrea Pirlo si lojtarë të Juventusit në vitin 2015 (Photo by Shaun Botterill/Getty Images)

“Pirlo është edhe një person i mrekullueshëm, prandaj thjesht mund të imagjinoj se do të jetë trajner i shkëlqyeshëm. Luajtëm katër vite bashkë dhe e fituam katër herë Scudetton, prandaj nëse ai më fton, do të isha i lumtur”, ka deklaruar kiliani.

Tre nga titujt e përmendur, ata i kishin fituar nën urdhrat e trajnerit Antonio Conte, i cili aktualisht është trajneri Interit dhe po ashtu i kërkon shërbimet e Vidal.

Lexo po ashtu Vidali preferon transferimin te Juventusi më shumë se te Interi

“Conte është si një makinë, taktikisht ai është më i miri. Sa i përket të ardhmes time, kam i qetë, do të shohim çfarë do të ndodhë. Jam shumë i dhënë pas Barcelonës, por do të shohim”, ka shtuar mesfushori. /Telegrafi/

Arturo Vidal dhe Antonio Conte si pjesë e Juventusit në vitin 2013 (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)