Telegrafi

Vetëvendosje paralajmëron kallëzim penal ndaj Qeverisë për rritjen e pagave

Lëvizja Vetëvendosje po përgatit një kallëzim penal ndaj vendimit të qeverisë së Ramush Haradinajt për t’ja rritur rrogat vetes.

Kështu ka bërë të ditur deputetja Albulena Haxhiu, e cila konsideron se ky vendim është i jashtëligjshëm.

“Vendimi i paligjshëm i Qeverisë për rritjen e pagave, është në kundërshtim edhe me Ligjin për Buxhetin e vitit 2018 dhe ka implikime buxhetore rreth 8 milion Euro. Ne jemi duke i bërë kallëzimet penale dhe shumë shpejt do t’i deponojmë ato”, shkroi ajo në Facebook.

Edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova,  ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave dhe ka kërkuar që të tërhiqet një vendim i tillë.

Sipas një komunikate për media nga Zyra e Apostolovës, thuhet se Qeveria riktheu vendimin e saj për rritje të pagave për anëtarët e kabinetit, këshilltarë të caktuar, disa nën-punës të lartë civil dhe personelit mbështetës të kabinetit qeveritar.

“Vendimi i rikthyer ad hoc për pagat është në kundërshtim me qëllimet tona të përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse, andaj dhe duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat”, thuhet në përgjigjen e zyrës.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor 2017 kishte marr vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk ka shkelje me vendimin e Qeverisë për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, ku paga e Kryeministrit do të jetë 2950 euro. /Telegrafi/