Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani u kanë dërguar letër partive politike ku i ftojnë që me datë 15 mars (e hënë) të takohen për të diskutuar për konstituimin e institucioneve të vendit.
Këto letra janë publikuar nga drejtuesi i zyrës për media i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se të njëjtat letra i janë dërguar edhe subjekteve politike nga komunitetet.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.
Vjosa Osmani, e cila ka garuar në kuadër të listës së Vetëvendosjes, ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 300.788.
Ajo aktualisht është kandidate për presidente nga LVV.
Albin Kurtit i është pamundësuar gara për shkak të një dënimi të shqiptuar në tre vjetët e fundit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur më 4 mars rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.
Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve jo-serbe.
Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë, njofton Telegrafi.