Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shtunën kanë mbajtur protestë në Prishtinë, duke kundërshtuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk përfshinë këtë kategori.
Protestuesit i bënë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretoj ligjin. Veteranët madje paralajmëruan protesta të reja nëse ligji hyn në fuqi.
Veteranët e UÇK-së dhe opozita akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se bashkë me Listën Serbe janë dakorduar për të përjashtuar veteranët nga Ligji për pagën minimale.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, duke folur para protestuesve të mbledhur në Prishtinë, tha se për veteranët e UÇK-së ende po pyeten kriminelët serbë.
“Kushdo do të kishte menduar sot se 25 vjet pas luftës do të dilnim këtu për të kërkuar liri dhe të drejtat tona. Sot, ato nuk po na mohohen nga një regjim i tmerrshëm si i Millosheviqit, por nga qeveria e shtetit, për të cilin kemi dhënë gjithçka që kishim tonën”, tha Ajeti.
Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.
Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se trajtimi i veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të zgjidhet me një ligj të ri dhe mbështet ofrimin e sa më shumë përfitimeve për këtë kategori, por ato përfitime nuk janë pagë.
“Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët e luftës çlirimtare, por këto benenifte nuk janë pagë sepse paga është për punë, ndërkaq benefitet janë mirënjohje e shoqërisë e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e të lirisë sonë”, tha kryeministri Kurti.
Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, është ngritur dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë 53.188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës. /Telegrafi/