Site icon Telegrafi

Vërshimet nga reshjet e shiut, rëndohet gjendja në disa të pjesë të Kosovës

Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë ditës së sotme janë duke shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa pjesë të Kosovës.

Këto reshje kanë përfshirë disa komuna si dhe fshatra të tyre, duke e bërë të pamundur qarkullimin e njerëzve si dhe veturave nëpër rrugë.

Lexo po ashtu Vërshime në disa pjesë të Kosovës nga reshjet e dendura të shiut

Në komunën e Malishevës si dhe në disa fshatra përreth është raportuar për gjendje të rënduar, madje është bërë thirrje të evitohen daljet e panevojshme.

Vërshime në Malishevë

Edhe në Komunën e Gjakovës situata është mjaft e rënduar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe borës.

Lexo po ashtu Situatë e rënduar në Gjakovë, vërshime të mëdha nga reshjet e dendura të shiut dhe borës

Sipas një statusi në rrjetin social në Facebook, Komuna e Gjakovës bën të ditur se të gjithë operatorët janë në terren dhe janë duke u munduar që të sanojnë problemet.

“Sipas parashikimeve meterologjike, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese dhe situata të tilla do të mund të na përsëriten. Deri më tani janë raportuar situata të rënduara në hyrje-daljet e qytetit, tek rruga “Qazim Bakalli”, tek Ura që lidh Bllokun e Ri me Shkugëzen, kemi bllokim të rrugëve “Fehmi Agani” dhe “Gaspër Karaqi” si dhe paralagjia Brekoc. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto pjesë. Në mënyrë që të jemi më afër jush, për çdo vështirësi që paraqitet në lagjen tuaj, ju lutem telefononi në Qendrën e Thirrjeve Emergjente përmes numrit 112☎️ dhe ne do të jemi në shërbim me të gjitha kapacitetet për të minimizuar problemin”, kanë shkruar nga Komuna e Gjakovës në Facebook.

Vërshime në Gjakovë

Edhe nga Komuna e Rahovecit kanë bërë të ditur se reshjet e shiut kanë vërshuar qarkullimin në disa zona.

“Komuna e Rahovecit, njofton të gjithë qytetarët se ekipet emergjente kanë dalë në terren që në orët e hershme të mëngjesit për t’i evituar problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut.  Kërkojmë nga ana e qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Debllokimet janë bërë Rahovec, Pastasel, Polluzhë, Çifllak, Sarosh..Po vazhdojmë në vendbanime të tjera…”, ka shkruar ata në Facebook.

Vërshime në Rahovec

Ndërkaq, reshjet e mëdha të shiut kanë përmbytur edhe Komoranin si dhe fshatin Poklek të Drenasit.

Vërshime në Komoran

Nga Komuna e Drenasit kanë bërë të ditur se ekipet emergjente janë në terren për t’i evituar problemet nga reshjet e shiut.

“Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët se ekipet emergjente janë dal në teren që në orët e hershme të mëngjesit për t’i evituar problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut. Kërkojmë nga ana e qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga reshjet e dendura të shiut.Ekipet emergjente janë në teren dhe duke u marr me të gjitha rastet që paraqiten nga ana e qytetarëve, por kërkojmë nga qytetarët të kenë durimin dhe mirëkuptimin, sepse ne të gjitha rastet do të këtë ndërhyrje nga ekipet emergjente për të evituar rastet”, thuhet në njoftim.

Edhe Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar qytetarët se pas reshjeve të shiut në drejtim të auto-udhës Vermicë-Gjurgjicë në kilometrin e 53 ka rrëshqitje të dheut, të një sasie jo të madhe, por që auto-udha “Ibrahim Rugova” është e qarkullueshme.

Lexo po ashtu Kjo është gjendja e rrugëve në Republikën e Kosovës

Ndërsa, Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik në mënyrë që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe përgjatë sezonit dimëror.

Lexo po ashtu Përkeqësimi i motit, Policia apelon për kujdes të shtuar

Ndërkaq edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar për mundësinë e vërshimeve në Kosovë.

“Reshjet e shiut, të cilat pritet të fillojnë gjatë orëve të pasdites së datës 06/01/2021, me intensitet mastarë deri të lartë, fillimisht do të përfshinë pjesën perëndimore të vendit (zonën malore të Alpeve Shqiptare), të cilat në vazhdim do të përfshinë Rrafshin e Dukagjinit dhe pjesë të tjera të vendit. Kjo situatë do të vazhdoj për disa ditë (09/01/2021), ku si pasojë e intensitetit më të lartë të tyre, në disa zona mund të paraqiten vërshime të shpejta, të cilat potencialisht shkaktojnë ngritje të shpejta të nivelit të ujit nëpër lumenj e sidomos nëpër rrjedhat ujore të cilat kanë karakter të rrëkeve”, thuhej në njoftimin për media.

Exit mobile version