Site icon Telegrafi

Asamblistët e Veriut të Mitrovicës votojnë pro anëtarësimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut gjatë seancës së sotme kanë votuar pro anëtarësimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku.

“Kryetari i AKK-së ka dërgu kërkesë për futjen e komunës në këtë Asociacion dhe ne e votuam”, ka thënë shkurt Sadiku.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Telegrafin tha se e mirëpresin këtë vendim të komunës.

Ai tha se tash pritet që ky vendim të shkoj për shqyrtim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe më pas në AKK.

“Sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës, çdo vendim i Kuvendit Komunal i nënshtrohet shqyrtimit të ligjshmërisë nga MAPL dhe pastaj sa të jetë ky vendim i miratuar nga MAPL dërgohet te ne në AKK dhe pastaj Kuvendi i AKK si organi më i lartë vendim-marrës e shqyrton kërkesën e komunës së Mitrovicës Veriore për anëtarësim në AKK. Neve si AKK jemi të hapur për bashkëpunim me çdo komunë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi. /Telegrafi/

Exit mobile version