Telegrafi

‘Vendoseni Kosovën në hartë’ – Rita Ora i bashkëngjitet fushatës ndaj Apple, përmend yjet shqiptare me famë botërore

Rita Ora në Kosovë më 17 shkurt 2018 (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, i është bashkëngjitur fushatës për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple.

Javë më parë është nisur një peticion drejtuar kompanisë së njohur, të cilës i bëhet thirrje për vendosjen e Kosovës në hartë, duke qenë se kufijtë e vendit tonë nuk ekzistojnë në hartën e tyre.

Një numër i madh shqiptarësh i janë bashkuar kësaj thirrjeje, ndërsa në mesin e tyre janë edhe këngëtaret me famë botërore. Së fundmi, Rita Ora ka rivënë në pah yjet e mëdha botërore që vijnë nga trojet shqiptare.

Lexo po ashtu Dua Lipa në frymë patriotike, publikon flamurin ‘Autochthonous’ dhe kuptimin e fjalës

“Do të më pëlqente ta shihja Apple duke shpërndarë pakëz vetëdijesim duke e vënë Kosovën në hartë! Shqipëria dhe Kosova janë vende aq të bukura dhe me shumë talente, ndërsa unë jam aq krenare për femrat tona të jashtëzakonshme, të forta, të talentuara që e përfaqësojnë trashëgiminë tonë”.

“Shpërndani dashuri, paqe dhe unitet sot me Bebe Rexhën, Dua Lipën, Era Istrefin, Dafina Zeqirin, Ava Max dhe shumë të tjera”, ka shkruar Rita në postimin e saj.

Në ndërkohë ajo ka marrë komente të shumta nga këngëtaret e etiketuara në këtë postim. /Telegrafi/