Site icon Telegrafi

Vendimin për telefonimin e votuesve jashtë vendit e votuan edhe Kurteshi e Rama, dy anëtarët e VV-së në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. 

Në vendim thuhet se KQZ do të telefonojë të gjithë ata që aplikojnë jashtë vendit për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit, e ata që nuk lajmërohen në telefon, humbin të drejtën e votës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, duke sqaruar vendimin tha se “nga një e-mail adresë aplikuesi mund të aplikojë për vetën dhe rrethin e ngushtë familjar që kanë të njëjtin mbiemër. Në formularët e aplikimit për regjistrim aplikuesi duhet të shënojë vetëm numri ne tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari. KQZ do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit, kjo është me rendësi të ceket, nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu KQZ me vendim për votuesit nga diaspora: Nëse mërgimtari nuk përgjigjet në telefon nuk i lejohet votimi

Mirëpo, vendimin e KQZ-së e kundërshtuan anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.

Haxhiu ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  është duke e vështirësuar regjistrimin e mërgatës për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Madje ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përmes një letre i ka kërkuar KQZ-së që ta shqyrtojë vendimin në fjalë.

E drejta e votës është e drejtë fundamentale, e garantuar me Kushtetutën tonë dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Si e tillë, e drejta e votës është e drejtë e patjetërsueshme, e cila nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë”, tha Osmani

Por, këtë vendim e kanë votuar edhe dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

Kjo mund të vërehet në videon e mbledhjes së sotme të KQZ-së. /Telegrafi/

Exit mobile version