Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar ndër të tjera edhe për Rregulloren e re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb.
Sipas Presidencës, Osmani e Hovenier fokus të veçantë i kanë dhënë propozimeve të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e kësaj rregulloreje.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Në mes tjerash, në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.
BQK-ja ka thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se së shpejti do të dalin me një listë prej dhjetë masash lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimi.
Çështja e ndalimit të dinarit serb ka tendosur raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së. Uashingtoni i ka kërkuar Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që të shtyjë zbatimin e rregullores. Por, Kurti ka insistuar se kjo rregullore nuk do të zhbëhet.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesës amerikane, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.
Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.
Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas kësaj deklarate të kryeministrit kosovar, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës. /Telegrafi/