Site icon Telegrafi

Vëllai i tre dëshmorëve: Prindërit e mi janë të lënduar në zemër, i dinë vrasësit e fëmijëve, por nuk marrin drejtësi (Video)

Ilir Bytyqi, vëllai i tre dëshmorëve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që u vranë pas përfundimit të luftës nga forcat serbe, në “Përballje” ka folur për rastin e vrasjes së vëllezërve të tij.

Bytyqi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë bërë atë që kanë mundur për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve të tij.

“Nuk ka munguar edhe ndihma nga Amerika, por rasti është në duar të institucioneve serbe dhe ata mund të vendosin drejtësi nëse kanë vullnet”, tha ai.

Ai ka thënë se edhe prindërit e tij janë shumë të dëshpëruar që Serbia i di vrasësit e djemve të tyre dhe nuk bën hapa konkret për vendosjen e drejtësisë.

“Prindërit e mi janë të lënduar në zemër, pasi procesi ka marrë shumë kohë. Ata e dinë se kush janë kriminelët. Ata e dinë se Vuçiqi i di kriminelët, por nuk bën asgjë për t’i vendosur para drejtësisë”, tha Bytyqi, përcjell Telegrafi.

Veprimtari shqiptar në SHBA, tregon se tashmë edhe themeluar edhe një fondacion për vëllezërit e vrarë Bytyqi, dhe për të gjithë të zhdukurit e tjerë me qëllim që të sensibilizojë popullin për rastin e vëllezërve të tij dhe rastet tjera për të zhdukurit në luftën e Kosovës.

Lexo po ashtu Bytyqi: Kriminelët e përfshirë në vrasjen e vëllezërve të mi, Vuçiqi i futi në Parlamentin e Serbisë (Video)

“Fondi ka për qëllim të ngrit vetëdijen jo vetëm për rastin e vëllezërve Bytyqi, por për të gjithë të zhdukurit. Komuniteti shqiptar në Amerikë ka dhënë kontribut të madh ndër vite për çështjen shqiptare. Siç e dini ky komunitet ka themeluar edhe “Bataljonin Atlantiku””, tha Bytyqi./Telegrafi/

Exit mobile version