Telegrafi

Vedat Muriqi ndëshkohet me të kuq në derbin e Stambollit ndaj Besiktasit, ylli i Kosovës bën një ndërhyrje të ashpër

Sulmuesi i Fenerbahces dhe përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi është ndëshkuar me kartonë të kuq në derbin ndaj rivalit të urryer lokal, Besiktasit.

Besiktas është nikoqir i Fenerbahces në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 33-të në Superligën e Turqisë.

Megjithatë, pjesa e parë e kësaj ndeshje nuk ka sjell asnjë gol, por vetëm tension dhe ndërhyrje të ashpra prej lojtarëve të dy ekipeve.

Por, mysafirët e pësuan më keq pasi u ndëshkuan me një karton të kuq qysh në minutën e 25-të të ndeshjes.

Ishte ylli i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili mori të kuqin nga gjyqtari pas një ndërhyrje të ashpër nga mbrapa ndaj mbrojtësit kroat, Domagoj Vida.

Kjo është ndeshja e fundit e Muriqit në këtë sezon në Turqi pasi ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u zhvilluar.

Sezoni i sulmuesit prizrenas ka qenë pozitivë me ‘Kanarinat e Verdha’, pasi ka shënuar 15 gola dhe ka bërë pesë asistime. /Telegrafi/