Telegrafi

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjohet dëshmitari i gjashtë

Në Hagë po mbahet seanca e radhës ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara thuhet se seanca gjyqësore ka nisur në ora 09:00, transmeton Telegrafi.

Në seancë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë. Të hënë dëshmitari i gjashtë ka deklaruar se është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe pastaj prokurori, Matthew Holling tregoi se gjatë seancës përgatitore dëshmitari kishte kërkuar disa ndryshime në dëshminë e tij.

Lexo po ashtu ​Dëshmitari i gjashtë nis dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së, ka nisur më 3 prill.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse. /Telegrafi/