Telegrafi

Van Dijk: Jam me fat që nuk luaj në Spanjë dhe nuk përballem çdo vit me Messin

Lionel Messi - Virgil van Dijk (Foto: Matthias Hangst/Getty Images/Guliver)

Mbrojtësi holandez, Virgil Van Dijk ka folur edhe një herë rreth ndeshjes së të mërkurës të cilën Liverpooli e humbi 3-0 nga Barcelona.

Van Dijk cilësohet si një prej mbrojtësve më të mirë në botë, madje para pak ditësh ai është zgjedhur si futbollisti i vitit në Ligën Premier.

Por, të mërkurën ai hasi në vështirësi kur u përballë me “jashtëtokësorin”, Lionel Messi, që ia doli të realizonte dy gola në fitoren e Barçës.

Sipas Van Dijk, ishte pikërisht Messi ai i cili e mposhti Liverpoolin, e jo Barcelona si skuadër.

Van Dijk gjatë një dueli me Messin (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

“Për fat nuk luaj në Spanjë dhe nuk duhet të përballem çdo vit me Messin”, ka thënë fillimisht Van Dijk.

“Kur përballesh me të dhe luan në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk mund të bësh asgjë”.

“Ata kanë fituar betejën, por ende jo luftën. E përsëris nuk e mundi Barcelona Liverpoolin, por ai ishte Messi, e kjo gjë ka dallim të madh”, përfundoi holandezi.