Telegrafi

Valverde: Guardiola është trajneri më i mirë në botë, edhe pas eliminimit nga Liga e Kampionëve

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e ka cilësuar Pep Guardiolan si më të mirin në futboll, pavarësisht eliminimit të ekipit të tij nga Liga e Kampionëve.

Manchester City nuk ka arritur të prek gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve pasi është eliminuar nga rivalët anglezë të Tottenham Hotspur.

Ky eliminim i Qytetarëve ka bërë që trajneri i tyre, Guardiola, të kritikohet në masë të madhe pasi ka shpenzuar shumë pa arritur asgjë.

Megjithatë, i këtij mendimi nuk është trajneri i Barcelonës, Valverde, pasi spanjolli mendon se Guardiola është më i miri në botën e futbollit.

“Guardiola është pa asnjë dyshim trajneri më i mirë në botë, pavarësisht eliminimit nga Liga e Kampionëve”, ka thënë Valverde në një konferencë shtypi të premten.

Ndryshe, Barcelona është në garë për tre trofetë këtë sezon, ndërsa City do të luftojë deri në fund me Liverpoolin për titullin e Ligës Premier. /Telegrafi/