Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Në njoftimin për media të Prokurorisë thuhet se me qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga Gjykatësi i procedurës paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak se është vlerësuar se ka gjasa reale se në këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.
Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale. /Telegrafi/