Telegrafi

Ukraina thotë se në vetëm një natë ka rrëzuar gjashtë raketa për të cilat Rusia mburrej se ishin “të pandalshme”

Ukraina tha të martën se kishte rrëzuar gjashtë raketa hipersonike ruse Kinzhal brenda një nate të vetme.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një armë që Moska e kishte shpallur më parë si “të pandalshme”.

Kjo, siç thuhet më tej, ishte hera e parë që Ukraina kishte pretenduar se kishte goditur një breshëri të tërë raketash të shumta hipersonike.

Andaj, nëse konfirmohet, do të ishte një demonstrim dramatik i efektivitetit të mbrojtjes ajrore perëndimore të vendosur rishtazi.

Lexo po ashtu Luftëtarët e Wagner përfunduan si 'minjtë në kurth' – thotë gjenerali ukrainas teksa viziton trupat e vijës së parë në Bakhmut

Gjashtë raketat balistike Kinzhals që udhëtojnë deri në 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit, ishin në mesin e një breshërie prej 18 raketash që Rusia lëshoi në Ukrainë gjatë natës.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi tha se të gjithë ishin “kapur” me sukses.

Ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

Autoritetet e qytetit në kryeqytetin ukrainas thanë se tre persona u plagosën nga rënia e mbeturinave.

Duke e përshkruar sulmin, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit ka thënë se “sulmi ishte i jashtëzakonshëm në densitetin e tij – numri maksimal i raketave sulmuese në periudhën më të shkurtër kohore”. /Telegrafi/