Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se negociatat e paqes me Rusinë janë të vështira dhe mohoi raportet se ishte bërë përparim në zgjidhjen e katër nga gjashtë çështjet kryesore.
Reagimi i tij vjen pasi një anëtar i ekipit negociator rus tha më herët se të dyja palët po afroheshin drejt një mirëkuptimi për çështje dytësore, përcjell Telegrafi.
Presidenti turk Recep Tajip Erdogan u raportua gjithashtu të thoshte se ishte bërë përparim në bisedimet.
Por Kuleba tha se “nuk ka konsensus me Rusinë për katër pikat”.
“Procesi i negociatave është shumë i vështirë”, ka shkruar ai në Facebook. “Delegacioni ukrainas ka marrë një qëndrim të fortë dhe nuk heq dorë nga kërkesat e tij. Ne insistojmë, para së gjithash, për një armëpushim, garancitë e sigurisë dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Kuleba më vonë shkroi në Twitter se “nuk kishte ende konsensus në negociata”, duke u ankuar “Rusia i qëndron ultimatumeve”.
Ai shtoi: “Për të stimuluar një qasje më konstruktive, ne kemi nevojë për dy gjëra: më shumë sanksione (për Rusinë) dhe më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën”. /Telegrafi/