Telegrafi

Ukraina ka mungesë të predhave, BE po përgatit një plan emergjent

Ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Evropian po diskutojnë sot në Stokholm përgatitjen e një plani për dërgimin e municioneve në Ukrainë, pavarësisht nga rezervat e tyre të dobëta, dhe paketa e parë emergjente do të jetë me vlerë një miliard euro.

Në anën tjetër, është bërë e ditur se ushtria ukrainase ka mungesë kronike të predhave të kalibrit 155 mm, transmeton Telegrafi.

Ministrat, të mbledhur në Stokholm në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe homologut ukrainas Oleksiy Reznikov, do të përgatisin një plan me tre pjesë. Qëllimi është që të miratohet më 20 mars në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së.

Plani bazohet në sigurimin e përbashkët të municioneve në sasi të mëdha, në mënyrë që industria ushtarake të jetë e sigurt për porositë.

Lexo po ashtu Ukrainasit rrethojnë istikamet brenda të cilëve ishin fshehur rusët – dorëzohen dy prej tyre kur e kuptojnë se nuk kanë nga t’ia mbajnë

Faza e parë e planit parashikon përdorimin e miliarda eurove nga Instrumenti Evropian i Ndihmës për Paqe, në mënyrë që të mund të dorëzohen predha nga stoqet e shteteve anëtare brenda disa javësh.

Sipas zyrtarëve evropianë, vendet anëtare kanë ende mjaft predha 155 mm për të mos kërcënuar sigurinë e tyre. Plani parashikon gjithashtu sigurimin e përbashkët për forcat e armatosura të BE-së dhe Ukrainës, në mënyrë që të inkurajojë prodhuesit të rrisin kapacitetin e prodhimit.

Vende si Estonia, e cila propozoi të shkojë më tej (katër miliardë euro dhe një milion granata), po kërkojnë të bëhet më shumë.

“Duke pasur parasysh nevojat e Ukrainës, atyre do t’u duheshin të paktën 350 mijë predha 155 mm në muaj”, tha Madis Roll, një zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes të Estonisë.

Lexo po ashtu Për situatën në Bakhmut, kreu i ushtrisë ukrainase konsultohet me udhëheqësit ushtarakë të NATO-s

Duhet të zgjidhet gjithashtu çështja nëse urdhrat do të kalojnë përmes agjencisë së mbrojtjes të BE-së, apo përmes vendeve anëtare që kanë më shumë përvojë me kontrata të tilla.

Ekziston edhe mundësia e blerjes së granatave jashtë Evropës, e cila sipas disave do të ishte më e shpejtë, por nuk do të ofronte mbështetje për kompleksin ushtarako-industrial evropian, gjë që shqetëson të tjerët.

Por të gjithë janë dakord se duhet të përgatiten për konflikte të mundshme të luftës në shkallë të gjerë, pas disa vitesh investime të ulëta në mbrojtje. /Telegrafi/