Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, dhe Polonisë, do të takohen sot në Berlin për të diskutuar rreth mbështetjes për Ukrainën, si dhe në shenjë uniteti dhe solidariteti ndërsa Kievi përballet me mungesën e burimeve ushtarake dhe Rusia voton.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, sot mirëpret presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk, për samitin e ashtuquajtur “Trekëndëshi i Weimarit” i të tre fuqive të mëdha evropiane.
Ky takim vjen pasi forcat e Kievit po shpresojnë për më shumë furnizime ushtarake nga partnerët perëndimorë ndërkohë që luftojnë kundër një ushtrie ruse të pajisur mirë, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur sa më shumë Ukrainën”, tha Scholz, duke vënë në dukje mungesën e municionit, artilerisë, dhe mbrojtjes ajrore të ushtrisë ukrainase.
Ndryshe, Macron më herët është shprehur se dërgimi i trupave në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe së fundmi, megjithëse tha se situata e tanishme nuk kërkon dërgimin e trupave tokësore.
Gjermania, Franca, dhe Polonia, janë ndër aleatët kryesorë të Ukrainës. Madje, Gjermania njihet si furnizuesi i dytë më i madh i saj me ndihma ushtarake, pas SHBA-së.
Por, në mbështetje të Ukrainës është shprehur edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Fitorja e Ukrainës është thelbësore për sigurinë evropiane, por mendoj se është thelbësore edhe për SHBA-në”, tha Borrell. /Telegrafi/