Institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë një nivel të lartë të koordinimit në tema të rëndësishme për vendin, duke lejuar edhe mendime të ndryshme dhe debate të hapura.
Kështu u shpreh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi.com, kur u pyet se a ka koordinim mes intistucioneve të Kosovës.
“Koordinimi ynë ka qenë kaq i fuqishëm sa ka lejuar edhe mendime të ndryshme, debat dhe situata të ndryshme”, tha Gërvalla.
Ajo tha se megjithëse koordinimi është i fortë, nuk do të thotë që të gjithë janë automatikisht të një mendimi, duke iu referuar kështu reagimit që pati Presidenca e Kosovës lidhur me letrën që kishte dërguar Gërvalla në Këshill të Evropës.
“Si duket e kemi zënë në befasi, dhe nuk ka qenë e informuar. Po si duket nuk është informuar edhe a është dashtë me informuar po, po të kishin qenë rrethanat normale dhe të mos kishte qenë shpejtësia e jashtëzakonshme edhe spontaniteti i një veprimi të tillë, atëherë me siguri që do ishte informuar, sepse nuk ka asnjë arsye për të mos e informuar”, u shpreh ministrja.
Kujtojmë se Presidenca e Kosovës kishte bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk ishte konstultuar e as dakorduar me presideten Vjosa Osmani.
Në lidhje me komunikimin e institucioneve, Gërvalla u shpreh se ka raste kur ndodh që dikush të propozojë një ide dhe të tjerët nuk dinë për të, por kjo është një gjë e zakonshme në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.
Ajo nënvizoi se koordinimi i institucioneve shpeshherë ka shkuar përtej kompetencave të caktuara në Kushtetutë dhe ligje.
E pyetur se a mund të jetë kjo thyerja e parë, ministrja u përgjigj “mund të jetë por ja që nuk është, për fat të mirë nuk është.”
“Unë me shumë përgjegjësi mund t’ju them që institucionet e Republikës së Kosovës, këto institucione që i ka zgjedhë vota e qytetarit tre vjet më parë janë shumë të koordinuara, bashkëpunojnë shumë mes vete edhe janë shumë të sigurta në rrugën që propozojnë të ndjekë Republika e Kosovës. Por na lejoni që nganjëherë t’i kemi edhe ne debatet tona, nganjëherë të kemi të zgjedhim edhe ne që të mos kemi gjithmonë të njëjtin mendim. Këtë situatë e shoh më shumë një tendencë për gjetje dhe shpikje të temave në mungesë të skandaleve serioze”, tha Gërvalla.
Sipas saj presidentja Osmani ka qenë temë e debateve, por koordinimi i institucioneve ka garantuar një përgjigje të qartë dhe të koordinuar ndaj sfidave.
“Në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani shpesh ka qenë temë e debateve në mbrëmje të analistëve me atë që asnjëherë nuk po ka mendim të vetin, gjithkund veç notere Albin Kurti, vetëm po ia qetë vulën e tjerë e tjerë.. Domethënë presidentja Osmani kah do që të lëviz prapëseprapë keq. Nëse del me një vendim të saj, i cili nuk përputhet me një me një hap të caktuar që kemi ndërmarrë si Qeveri, atëherë u bë katastrofa, sepse presidentja Osmani paska një mendim ndryshe”, shtoi tutje Gërvalla në intervistën për Telegrafin.
Ministrja shtoi se presidentja e dha një mendim të saj dhe mendimi i saj u kthye në përpjekjen për krijimin e një opinioni që s’ka më bashkëpunim.
“Po qe s’e kemi lajmëruar nuk është gabimi i parë që unë personalisht ose dikush tjetër e bën përgjatë këtyre tre viteve”, tha Gërvalla.
Ministrja në fund u shpreh se niveli koordinimit dhe përkushtimi i institucioneve tregon një unitet dhe përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/