Site icon Telegrafi

U paraqit në SPAK, deputeti i PD-së: Jam rikallëzuar për fshehje pasurie

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas një kallëzimi të ri për fshehje pasurie.

Pasi përfundoi dëshminë në SPAK, Baçi deklaroi për mediat se hetimi për pasurinë e tij ishte kryer më parë “në detaje” dhe se “nuk kishte asnjë problem”.

“Ka qenë një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime fill e për pe, pa asnjë lloj problemi. Unë kam transparencë të plotë të punëve dhe biznesit tim. Jam shumë i qetë. Shumë normal. Nuk kam asnjë lloj problemi. Është mbyllur si çështje,” tha ai për gazetarët.

Deputeti i PD-së shtoi gjithashtu se e sheh këtë rast si një përpjekje të përsëritur nga ana e një kallëzuesi, të cilin ai e cilësoi si “patronazhist, ballist”.

“I njëjti kallëzues patronazhist, ballist, ka ardhur përsëri e ka bërë kallëzim. Ndoshta dhe SPAK për t’i bërë qejfin qytetarëve, edhe kur kanë mjeranë të tillë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vetëm të bëjnë kallëzime të tilla, unë u paraqita”, tha Baçi. /Telegrafi/

Exit mobile version