Më datën 8 prill, dy fëmijë derisa ishin duke ecur rrugës janë goditur rëndë nga një veturë. Njëri nga fëmijët ka pësuar lëndime të rënda trupore, i njëjti po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intensiv në Prishtinë.
Shefi i Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka në një prononcim për Telegrafin ka folur mbi gjendjen shëndetësore të tetë vjeçarit, duke thënë se i njëjti është ende duke qëndruar me aparaturë mjekësore.
“Është duke qëndruar i kyçur me aparaturë mjekësore dhe më tutje. Ne kemi fillu me ndalë barnat e gjumit. Një lëndim shumë serioz është dashtë me iu nënshtru intervenimit kirurgjik për shkak të tronditjes së trurit që ka pasur”, tha ai.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Pejës, kishte parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj shoferit i cili të dielën goditi me veturë dy fëmijë në qytetin e Pejës.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore, Shkodran Nikçi.
Nikçi ka bërë të ditur gjithashtu se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit, dhe se i njëjti është recidivist i disa veprave penale.
“Është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. I njëjti ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe është recidivist i disa veprave penale”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.
K.M dyshohet se ka kryer edhe veprat e tjera penale si “lëndim i lehtë trupor”, “blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “sulmit” “grabitje”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajsh për 24-vjeçarin.
Policia kishte njoftuar se aksidenti kishte ndodhur rreth orës 14:00./Telegrafi/