Telegrafi

BE tregon agjendën e takimit të 18 marsit Kurti-Vuçiq në Ohër

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur agjendën e takimit të 18 marsit në Ohër në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga BE.

Sipas zëdhënësit të zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovë, Nikola Gaon, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell do të mbajë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Gaon, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të 27 shkurtit në Bruksel, u shprehën të gatshëm të punojnë për planin e zbatimit për propozimin evropian.

Propozimi evropian synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se pret që palët ta nënshkruajnë propozimin evropian, tekstin e të cilit e kanë publikuar më 27 shkurt.

Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Për punën lidhur me hartimin e planit të zbatimit, sot  në Prishtinë po  qëndron i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. /Telegrafi/