Ilir Bytyqi, vëllai i tre dëshmorëve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që u vranë pas përfundimit të luftës nga forcat serbe, në “Përballje” ka folur për aktualitetin politik në Kosovë.
Bytyqi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë Kosova ka të gjitha institucionet që do të duheshin të punojnë për popullin, pasi vetë këto institucione janë të dala nga populli.
“Këto institucione besoj se e dinë më së miri se si duhet të dërgohet ky vend përpara. Besoj se këto institucione do ta dërgojnë popullin në një ardhmëri të mirë”, tha Bytyqi, përcjell Telegrafi.
Vëllai i tre dëshmorëve, ka thënë se vendosja e drejtësisë do të lehtësonte atë, por plaga nuk do të shërohej asnjëherë.
“Sjellja e drejtësisë nuk do ta shërojë asnjëherë plagën, por do të jetë njëfarë lehtësimi kur e dimë se kriminelët do të jenë para drejtësisë”.
Shqiptari i Amerikës ka thënë se populli i Kosovës duhet të jetë unik dhe të flasin me një zë, pasi sipas tij zërat e vetmuar nuk kanë efektin e fuqishëm.
“Populli kosovar duhet të jenë bashkë dhe të kenë një zë. Të jesh i vetëm nuk çon peshë shumë zëri yt. Keni qeveri e ushtri, keni popullin, keni një popull të ditur. Besoj se do të keni një ardhmëri të lumtur”, tha për fund Ilir Bytyqi./Telegrafi/