Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar që sa më parë organet e rendit të zbulojnë autorët e krimit të rëndë në Gllogjan të Deçanit, ku si pasojë e gjuajtjes me armë të zjarrit, tre persona kanë humbur jetën, dy prej të cilëve nxënës.
Konjufca përmes një postimi në Facebook, ka thënë se autorët e krimit duhet të sillen sa më shpejt para drejtësisë.
“Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë. Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale. I nxis organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata”, shkruan Konjufca.
Ndryshe, tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit i cili po barte nxënës.
Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. /Telegrafi/