Site icon Telegrafi

Totti ndërhynë për ta bindur Dybalan t’i bashkohet Romës: Të hënën do të takohem me të

Paulo Dybala vazhdon të jetë ëndrra e madhe e Romës për edicionin e ri.

Sulmuesi argjentinas e ka mbyllur aventurën e tij me Juventusin pas shtatë viteve të kaluara tek bardhezinjtë.

Dybala do të largohet si futbollist i lirë në verë dhe shumë skuadra janë vënë pas tij, në mesin e tyre edhe Roma.

Ikona e Romës, Francesco Totti ka folur për të ardhmen e argjentinasit, duke thënë se shpreson që ai ta vesh fanellën e Romës.

“Të shohim nëse do të mundemi ta sjellim në Romë. Të hënën do ta takoj dhe shpresoj që ta bind. Jemi në Milano për ndeshjen e organizuar nga Samuel Eto’o”.

“Do të luajmë bashkë dhe do t’i jap edhe ndonjë këshillë, do të përpiqem ta bind, të shohim nëse do t’ia dal. Gjithmonë nëse edhe Roma është në të njëjtën linjë me mua”, deklaroi kapiteni legjendar i Romës.

Në fund Totti foli edhe për një rikthim të mundshëm te Roma, duke thënë se për momentin gjëja më e rëndësishme është se klubi po ecën mirë.

“I dimë problemet që ka Roma, por pronarët e rinj, kanë ide të tjera në raport me të mëparshmit. Megjithatë, martesat bëhen gjithmonë midis dy njerëzve. Gjëja më e rëndësishme sidoqoftë është që Roma të ecë mirë”, tha Totti. /Telegrafi/

Exit mobile version