Telegrafi

Tifozët tallin mesazhin lamtumirës të Lukakut: Ne do të jemi Interi edhe pa ty

(Foto: Instagram/romelulukaku)

Ishte e pritshme që mesazhi lamtumirës i Romelu Lukakut të mos pritej mirë nga tifozët e Interit për disa arsye.

Futbollisti belg kishte premtuar të vinte me një deklaratë, të cilën e ka postuar mëngjesin e të dielës në Instagram, me shpresën se tifozët do ta kuptonin vendimin e tij, teksa u ka thënë se do të mbetet gjithmonë një interist.

Porse, tifozëve nuk u ka bërë përshtypje mesazhi i tij, sidomos për faktin se ka ardhur disa ditë pas largimit nga Milano.

Disa e kanë akuzuar se dikush tjetër ia ka shkruar deklaratën, të tjerët e kanë akuzuar se thjesht i ka ndjekur paratë, sidomos në kohën kur Interi po vuan për shkak të likuiditetit.

Lexo po ashtu “Shpresoj se e kuptuat”, Lukaku më në fund vjen me një mesazh për tifozët e Interit pas largimit drejt Chelseat

“Faleminderit për dy vitet, po është dashur ta dërgoje këtë ‘letër’ së paku disa sekonda para se ta zyrtarizoje transferimin te Chelsea” – ka shkruar një tifoz.

Një tjetër ka pohuar se është sikurse po merr “një mesazh nga ish-i kur veçmë ia ke fshirë numrin nga telefoni”.

Duke qenë se Lukaku e gjeti formën jetësore në Serie A dhe është kritikuar shumë gjatë përvojave të mëparshme në Ligën Premier, tifozët nuk kanë harruar ta përmendin edhe këtë aspekt.

“Ne do të jemi gjithmonë Interi edhe pa ty, por tash do të shohim nëse ti do jesh Lukaku pa neve” – është qëndrimi i një tifozi. /Telegrafi/