Telegrafi

Tifozët shqiptarë me peticion për uljen e çmimit të biletave për përballjen Feronikeli – Milan

Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht miqësorja në mes të Feronikelit dhe Milanit që do të zhvillohet më 10 gusht në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Skuadra italiane ka konfirmuar ditë më parë se do të përballet me atë kosovare në kryeqytetin e Kosovës.

“AC Milan dhe FC Feronikeli janë të lumtur t’iu njoftojnë se të shtunën, më 10 gusht , në orën 20:45 (ora lokale) ata do të marrin pjesë në një ndeshje miqësore në stadiumin “Fadil Vokkri”, Prishtinë, Kosovë”.

Por, para se të zhvillohet kjo përballje, tifozët shqiptarë që e mbështesin Milanin, po ankohen për çmimin e lartë të biletave.

Organizatorët e ndeshjes Feronikeli – Milan kanë paralajmëruar se biletat do të kushtojnë nga 35-155 euro.

Ky vendim i organizatorëve ka bërë që tifozët shqiptarë të krijojnë një peticion për uljen e çmimit të biletave, në mënyrë që ta shikojnë nga afër skuadrën e zemrës.

Feronikeli (Foto: FFK)

“Meqë jemi në prag të ndeshjes KF Feronikeli dhe klubit te famshëm italian AC Milan si dhe publikimit të çmimeve astronomike të biletave, ju ftojmë të gjithë futbolldashësve ta nënshkruani këtë peticion përmes të cilit kërkojmë që të bëhet ulje e çmimit të biletave”.

“Vendi ynë, qytetarët dhe në veçanti tifozët nuk e kanë një standardë të tillë ekonomik që të mund t’i përballojnë çmimet e tilla që fillojnë nga 35€ (më e lira) deri në 155€. Nuk mund të pajtohemi asesi që në kurrizin tonë të përfitojnë grupet ordinere të interesit, aq më pak kur kemi parasysh që edhe në ligat evropiane çmimi i biletave është shumë më i lirë pavarësisht standardit të tyre”, thuhet në peticionin që është krijuar duke klikuar në këtë link.

Për të gjitha që nuk do të mund ta sigurojnë biletën për përballjen në mes të kampionit të Superligës së Kosovës dhe gjigantit italian, RTV Dukagjini do ta transmetojë ekskluzivisht. /Telegrafi/