Më shumë se 72,000 tifozë mbushën Arrowhead Stadium të shtunën në mbrëmje me orën lokale të SHBA-së për të parë Sporting KC duke luajtur kundër Inter Miami.
Për të qenë më të saktë, më shumë se 72,000 tifozë mbushën Arrowhead për të parë nga afër Lionel Messin i cili dhuroi magji, teksa u vendos një rekord për numrin më të madh të njerëzve për të ndjekur një lojë futbolli në Kansas City dhe në shtetin e Misurit.
Messi nuk zhgënjeu dhe dhuroi spektakël në fitoren e Inter Miamit 2-3 në udhëtim teksa shënoi një gol dhe një asistim.
Ylli argjentinas fillimisht bëri një asistim fantastik te Diego Gomez i cili nuk e pati të vështirë të shënonte për 1-1.
E në minutën e 51-të, gjeniu argjentinas shënoi një nga golat më të bukur të tij në MLS, ku me një goditje të fuqishme realizoi për 1-2.
Ndërkohë golin e tretë për 2-3, e realizoi Luis Suarez nga afërsia për ta rikthyer Inter Miamin në krye të Konferencës së Lindjes me 15 pikë pas nëntë xhirove.
Sa i përket golave në total, Messi ka realizuar deri më tani pesë gola dhe ka dy asistime, derisa Luis Suarez ka gjashtë gola e tre asistime. /Telegrafi/