Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur votimin e Qeverisë Hoti, teksa ka shtuar se Albin Kurti duhet të heq dorë nga zyra e kryeministrit.
Thaçi para mediave ka thënë se sot deputetët kanë treguar maturi, transmeton Telegrafi.
“Si president uroj deputetët për mbarëvajtjen e seancës në Kuvendin e Kosovës, për maturinë që treguan deputetët. Është ditë e rëndësishme, pasi që sot vendosëm një gurë tjetër në themelet e shtetësisë dhe demokracisë të Kosovës.
Uroj Hotin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat për marrjen e detyrave të reja. Nuk kemi kohë të humbasim duhet të fillojmë të punojmë”, ka thënë ai para mediave, përcjell Telegrafi.
Thaçi ka thënë se pret nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë me reformat në sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve të sigurisë, për të siguruar paqe.
Gjithashtu, Thaçi ka thënë se Albin Kurti duhet të dorëzojë mandatin sa më lehtë të kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti.
“Nga Kurti kërkohet një pranim dorëzim sa më i lehtë të qeveria Hoti, dhe të heq dorë nga barrikadimi i zyrës. Pas shkarkimit ai po bëhet qesharak”, pohoi ai.
Ndryshe, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim sot në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria Hoti. /Telegrafi/