Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E.R për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.
Gjykata Themelore në Pejë bën të ditur se me datë 13.09.2020 rreth orës 23:20 minuta, në fshatin Vitomericë, komuna e Pejës, pikërisht në afërsi të pompës së derivateve të naftës “P.C”, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i jep përfitim pasuror personit zyrtar në mënyrë që ai person të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
“Në atë mënyrë që ditën kritike përderisa i pandehuri po qarkullonte me veturën e tij ndalohet nga ana e policisë, me ç’rast pasi i merret dokumentacioni dhe konstatohet përmes alkool testit se i pandehuri ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, me këtë rast është njoftuar se kishte kryer kundërvajtje, e ku këtu i pandehuri nxjerr nga xhepi kartëmonedhën me vlerë prej pesëdhjetë euro duke ua ofruar zyrtareve policor, me kërkesë për ta lëshuar dhe mos u marr me të, mirëpo i njëjti është arrestuar nga ana e policisë ndërsa kartëmonedha është sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Ndaj të akuzuarit gjykata shqiptoj dënim me gjobë në shumë prej treqind euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.
Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burg i është shndërruar në dënim me gjobë në shumë prej pesëqind euro.
Andaj, gjykata i shqiptoj dënim unik me gjobë në shumën prej tetëqind euro të cilin dënim do t’a paguaj brenda afatit prej tridhjetë ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Nëse i akuzuari dënimin me gjobë nuk e paguan në afatin e caktuar, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një (1) ditë burgim për çdo njëzet (20) euro të gjobës. Të akuzuarit i konfiskohet monedha në shumë prej pesëdhjetë euro dhe e njëjta pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet që t’i alokohet mjeteve të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se “i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej njëzet euro dhe shumën prej pesëdhjetë euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit”.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Telegrafi/