Site icon Telegrafi

Tensionohet situata në veri, pas arrestimit të një ish-polici serb

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur sërish të shtunën, pasi është raportuar për bllokada në rrugë dhe aktivizim të sirenave.

Në Rudarë të Zveçanit dhe në Leposaviq – të dyja komuna me shumicë serbe – janë bllokuar rrugët, teksa në Mitrovicën e Veriut janë dëgjuar edhe sirenat.

Sipas informatave që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga terreni, në Rudarë janë parë katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës, ndërsa aty janë grumbulluar burra të maskuar dhe gra.

Për këto zhvillime është raportuar pak orë pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiq është arrestuar, pasi ka dëshmi se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit”.

Ai besohet se i është referuar sulmit të disa ditëve më parë në zyret e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, teksa zyrtarë të këtij institucioni kanë synuar të nisin përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore.

Presidentja e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën për shtyrje të zgjedhjeve – që ishin planifikuar për 18 dhjetor – për në prill në vitit të ardhshëm.

Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e zgjedhjeve.

Policia e Kosovës ka shtuar së fundi prezencën në këtë pjesë të Kosovës, me qëllim të, siç është thënë “sigurimit të qytetarëve”.

Ditë më parë, Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri” dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë”.

Exit mobile version