Telegrafi

Tensione në Kuvend dhe përplasje jashtë tij – gjithçka që ndodhi në protestën e veteranëve

Në orët e hershme mëngjesit të së enjtes forca të shumta policie kishin rrethuar objektin e Kuvendit të Kosovës për të ofruar siguri.

Kuvendi i Kosovës kishte paralajmëruar seancë plenare, ndërsa në rend dite ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës.

Nga ana tjetër shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale kishin grumbulluar qindra qytetarë për të protestuar.

Situata eskaloi derisa protestuesit kaluan rrethojat e oborrit të Kuvendit duke brohoritur kundër projektligjit që nuk përfshinte pensionet e tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, kërkoi tërheqjen e projektligjit.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë. Lirisht mund t’ju them se secilën herë që deputetët do të kenë seanca ne do të jemi këtu”, tha ai.

Përfaqësues të partive opozitare PDK e AAK pamundësuan punimet e seancës së Kuvendit në shenjë solidarizimi me veteranët që po protestonin jashtë.

Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se parlamenti nuk mund t’i kthehet normalitetit derisa të trajtohet situata me veteranët.

Lexo po ashtu Zyra e BE-së në Kosovë reagon për protestën e veteranëve

“A thua pak kontribut kanë dhënë veteranët e UÇK-së që të diskriminohen në këtë mënyrë? A thua i kemi harruar të gjithë ata të cilët lanë gjymtyrët që ne sot të jemi këtu dhe Kosova të jetë e lirë? Në dukje të parë shihet se i gjithë kabineti qeveritar është këtu dhe është një mbledhje normale, por unë mendoj që mbledhje normale ky parlament nuk do të ketë derisa të rishikohet çështja e përfshirjes së veteranëve në marrjen e beneficioneve në lartësi të pagës minimale”, tha ai.

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se është e padinjitetshme që veteranët e luftës të trajtohen në këtë mënyrë.

“Ne nuk duhet të sillemi sikur gjithçka është në normale jashtë kësaj salle dhe brenda saj. E vërteta është që një pjesë vitale e jashtëzakonshme, e rëndësishme dhe kontributdhënëse për lirinë e vendit është në protestë jashtë parlamentit sot dhe kjo për gabimet e qeverisë sepse nuk ka realizuar dialog politik dhe social me shoqatat e veteranëve të luftës, nuk ka diskutuar dhe nuk ka rezultuar dialog politik me partitë opozitare dhe nuk është bashkërenduar për këtë situatë”, tha ai.

Lexo po ashtu Kurti nuk shkon në forumin e Prespës, do t'i takojë përfaqësuesit e OVL e UÇK-së - veteranët e vërtetë meritojnë kompensim më të lartë se paga minimale

Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se miratimi i projektligjit për pagën minimale ishte veprim i turpshëm.

“Kurrë nuk e kam paramenduar që 23 vjet pas luftës një qeveri e udhëhequr nga një kryeministër Albin Kurti, do t’i detyrojë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të dalin të protestojnë për minimumin e kërkesave që janë të garantuara me ligj, që të përfshihen në pagën minimale në mënyrë të dinjitetshme”, tha ajo.

Kryeministri Kurti për të qetësuar situatën e krijuar, anuloi shkuarjen në forumin e Prespës.

Lexo po ashtu Përfundon protesta e veteranëve, nesër takohen me Kurtin

Ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria e Kosovës me politikat dhe veprimet e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirimin e vendit.

“Unë nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e luftës së UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë për numrin e tyre. Ky është një debat që zhvillohet në shoqërinë tonë, që natyrisht zhvillohet edhe në Kuvend”.

Pas shumë përpjekjeve Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për javën tjetër seancën e filluar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka konsideruar kërkesën e veteranëve të paarsyeshme, duke thënë se në seancën e së enjtes nuk ka qenë në plan që të diskutohet tema për të cilën kanë protestuar veteranët.

“Nuk shoh kushte që të vazhdojmë pasi një pjesë e opozitës po insiston që kjo seancë të mos vazhdojë. Seanca vazhdon javën e ardhshme kurdo që të krijohen kushtet”.

Pas ndërprerjes së seancës, veteranët që protestuan për rreth tetë orë u tërhoqen dhe pranuan dialog.

Protestuesit u shpërndanë derisa përfaqësues të shoqatave të luftës do të takohen me kryeministrin Kurti të premten.

Lexo po ashtu Seanca e Kuvendit të Kosovës shtyhet për një ditë tjetër, Konjufca: Kjo situatë nuk mund të zgjasë pafundësisht

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka paralajmëruar edhe masa të tjera, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre në takimin me kryeministrin.

“Ne i ftojmë deputetët, ata të cilët vlerësojnë, ata të cilët kanë qenë pjesë e luftës nëse edhe në takimin e nesërm nuk reflekton kryeministri dhe qeveria, ne do të vazhdojmë kundërshtojmë fuqishëm”, ka shtuar ai.

Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin që u miratua në parim, nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.

Projektligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë që nuk janë kundër rritjes s pensionit të veteranëve, por fillimisht duhet të konfirmohet lista e tyre./Telegrafi/