Erik Ten Hag ka marrë drejtimin e gjigantit anglez Manchester United dhe synon ta rikthejë në maje të futbollit anglez dhe atij evropian.
E për të ndërtuar një ekip të fuqishme dhe konkurruese, Ten Hag ka bërë një listë me futbollistët që dëshiron të ketë nën urdhrat e tij në Old Traford.
Dy yjet e Ajaxit, sulmuesi brazilian Antony dhe qendërmbrojtësi argjentinas Lisandro Martinez janë dëshirat kryesore të Ten Hag.
Sulmuesi 22-vjeçar, Antony në 32 ndeshje zyrtare ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar në 10 të tjerë duke ngritur edhe çmimin e tij.
Në anën tjetër formë fantastike ka shfaqur edhe qendërmbrojtësi 24 vjeçar që tanimë është një titullar i rregullt te Argjentina.
Ten Hag i ka vërë të qartë drejtuesve të klubit se dëshiron t’i ketë këta dy futbollistë përsëri nën urdhrat e tij.
Mediat angleze kanë raportuar se tanimë Djajtë e Kuq kanë siguruar nënshkrimin me Antony, ku janë pajtuar të paguajnë 47 milionë euro te Ajaxi për brazilianin.
Por drejtuesit e dy klubeve po diskutojnë edhe për argjentinasin i cili pritet të jetë partner në qendër të mbrojtjes me Raphael Varanen.
Ajax po kërkon rreth 40 milionë euro për të, por sipas Daily Star marrëveshja mund të mbyllet te shuma e 32 milionëve.
Gjithsesi dy yjet e Ajax janë të destinuar për t’u bashkuar me trajnerin Ten Hag i cili me afrimin e tyre i jep energji sulmit dhe siguri mbrojtjes së United. /Telegrafi/